Lajme

Ymerali: Ja si i respektojmë të drejtat e punëmarrësit në kompaninë tonë

E ftuar sot në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, në televizionin publik shqiptar, bashkë-drejtuesja e The Headhunter, Eranda Ymerali, u ndal në disa nga problematikat që hasen më shpesh në tregun e punës sa i takon marrëdhënies punëdhënës-punëmarrës, me fokus Kodin e Punës dhe kontratat.

Znj. Ymerali, eskperte e burimeve njerëzore u shpreh se “Punëmarrësi (duhet) të jetë më i vëmendshëm për të drejtat që ka, dhe për detyrimet e punëdhënësit”.

Ajo dha një shembull konkret lidhur me praktikat që ndjek kompania The Headhunter, kur është fjala për nënshkrimin e kontratave me punëmarrësit. “Ne e kemi si praktikë në kompaninë tonë që punëmarrësit t’i japim kohën e tij për të lexuar kontratën përpara se të firmosë, e lëmë vetëm në një nga sallat tona për rreth 15-20 minuta, pasi jo të gjithë kanë informacionin e duhur”.

Gjatë bisedës, tema u zhvendos edhe te largimet nga puna për shkak të bindjeve politike.

“Në sektorin privat, ka më pak largime për bindje politike dhe marrëdhënia rregullohet 100% nga Kodi i Punës”, tha Znj. Ymerali.

Por ka edhe raste kur përpilohen “kontrata skandaloze në përmbajtje. 90 përqind janë në shkelje të kodit të punës. Ka raste kur përdoret vetëm një kopje e nënshkruar” – dhe jo dy sikurse e kërkon ligji vijoi më tej përfaqësuesja e The Headhunter.

Znj. Ymerali vuri theksin edhe në një rast kur kompanitë janë në pozitat që përballen me shkelje të punëmarrësve. “Është neni për të drejtën e mos-konkurrimit në kontratë. Ka punonjës që pa autorizim dhe pa respektuar vitet që parashikon kontrata, krijojnë vetë sipërmarrje identike me kompanitë ku punojnë, duke i dëmtuar këto të fundit. Kompanitë kanë të drejtën të ankohen dhe i fitojnë çështjet gjyqësore kur i shkojnë deri në fund këtyre rasteve”.

Së fundi, lidhur me mënyrën dhe efikasitetin e të punuarit në Shqipëri, e pyetur nga drejtuesit e emisionit nëse punonjësit shqiptarë mund të konsideroheshin si jo shumë të përkushtuar ndaj punës, Znj. Ymerali u shpreh se në “Ballkan, ka një tendencë për të mos qenë i automatizuar me punën dhe ky nuk është një fenomen që e hasim vetëm në Shqipëri. Në Shqipëri ka edhe raste kur punëmarrësi punon 44 orë, por me rendiment të ulët, dhe në këtë ka të bëjë edhe zhvillimi ekonomik dhe social i një vendi. Në Shqipëri do të ecim, gjërat përmirësohen, por duhet kohë. Individi duhet të kuptojë që puna është përgjegjshmëri, dhe jo një 8-orësh për të shtyrë kohën dhe për të marrë pagën. Punëmarrësi nuk duhet të abuzojë me të mirat që i jepen”.